Zbulimi i Oxford, OBSH e pranon: Ky është trajtimi i parë që ul vdekshmërinë te pacientët me koronavirus

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të përditësojë udhëzimet e saja lidhur me trajtimin e koronavirusit, pasi një studim gjeti se një steroid i lirë mund të ndihmojë që t’i shpëtojë të sëmurët me Covid-19.

Studiuesit britanikë të Universitetit Oxford thanë se deksametazona – që përdoret që prej viteve ‘60 për të zvogëluar inflamacionin për sëmundje të tilla si artriti – ulë shkallën e vdekjes me rreth një të tretën në më shumë se 2 mijë pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Ky është trajtimi i parë që shfaq uljen e vdekshmërisë te pacientët me Covid-19, të cilët trajtohen me oksigjen apo me ventilatorë”, tha drejtori i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus.

“OBSH-ja do të koordinojë të gjitha analizat e të dhënave, me qëllim që të kemi një kuptim më të qartë të ndikimit të këtij ilaçi. Udhëzimet klinike të OBSH-së do të përditësohen, me qëllim që të tregojnë se si ky ilaç duhet të përdoret për pacientët me Covid-19”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.

Udhëzimet klinike të OBSH-së kanë për qëllim që t’i informojnë profesionistët shëndetësorë se si të trajtojë më së miri pacientët me Covid-19.

Deksametazona ulë për 35 për qind vdekshmërinë te pacientët të cilët mund të marrin frymë me ndihmën e ventilatorëve, ndërkaq ulë në një të pestën shkallën e vdekshmërisë te pacientët që trajtohen me oksigjen, thuhet në studimin e publikuar.

Edhe pse rezultatet e këtij studimi janë preliminare, shkencëtarët kanë sugjeruar se ky ilaç duhet që menjëherë të përdoret për pacientët të cilët janë të sëmurë rëndë.

Ky ilaç megjithatë është studiuar vetëm për ndikimin që ka te pacientët e sëmurë rëndë me Covid-19 dhe jo tek ata që kanë simptoma më të buta të kësaj sëmundjeje.

Deksametazona gjithashtu pritet që të ndihmojë edhe shtetet e varfra që kanë numër të lartë të të infektuarve me koronavirus.

%d bloggers like this: