Shkollat në Republikën Shëndetësore të Shqipërisë

ERMAL HASIMJA

265 milionë njerëz rrezikojnë jetën nga uria, si pasojë e krizës së shkaktuar nga mbyllja e ekonomive në gjithë botën. Shumë herë më tepër sesa ata që rrezikojnë jetën nga COVID-19. Me qëllimin e ligjshëm dhe të kuptueshëm të shpëtimit të jetëve, mjekët morën në dorë vendimmarrjen e plotë mbi shoqërinë. Do të ishte e padrejtë të akuzohen mjekët për neglizhencë ndaj “efekteve anësore” që shkaktoi mbyllja e ekonomive. Mjeku pyetet kur ke nevojë të ruash shëndetin dhe do të përgjigjet me këtë objektiv. Mjeku nuk është ekonomist.

Problemi është se në situatën aktuale, rreziku nuk është vetëm COVID-19. Kjo gjë u bë e qartë me pasojat e karantinës tek ekonomia. Por a ekziston rreziku që plotfuqishmëria e logjikës mjekësore të eklipsojë përsëri “efektet anësore” në rastin e kufizimeve ndaj shkollave?

Elementet paraprake të protokolleve shëndetësore në shkolla të bëjnë të mendosh se protokollet janë menduar nga mjekë, që nuk janë konsultuar me arsimtarë. Vendimi duket i imponuar. Problemi kryesor do të jetë distanca fizike prej 1,5-2 metrash që nxënësit duhet të mbajnë nga njëri-tjetri. Cila është logjika e këtij vendimi? A janë marrë për shembull praktika të vendeve të tjera? Më duket se Shqipëria është treguar më katolike se papa në këtë rast. Rekomandimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është për distancë 1 metër. Këtë distancë ka përcaktuar edhe Hong Kongu. Franca e Kanadaja kanë caktuar gjithashtu distancën 1 metër mes nxënësve, por në Francë qeveria vendosi që distanca 1 metër të ruhet vetëm kur shkollat kanë hapësirën e nevojshme. Madje, për shumicën e shkollave franceze në nivelin e fillores, kjo masë thjesht u harrua.

Holanda as nuk ka përcaktuar distancë fare. E njëjta gjë për Danimarkën e Finlandën, të cilat kanë përcaktuar sidoqoftë që klasat nuk duhet të kenë kontakt me njëra-tjetrën. Në shumicën e vendeve europiane, maskat nuk kërkohen brenda klasës, por vetëm jashtë saj. Kujtojmë se në shumicën e vendeve europiane e sidomos ato të veriut, shkollat u rihapën shumë shpejt (më 15 prill në Danimarkë e më pas në Austri e Francë, ndërsa në Suedi nuk u mbyllën kurrë për filloren).

Atëherë, pse Shqipëria kërkon masa më të rrepta sesa gjithë të tjerët? Ndoshta autoritetet tona shëndetësore, me të drejtë synojnë ta zerojnë rrezikun. “Better safe than sorry”. Dakord. Mirëpo, duke ulur rrezikun shëndetësor, rrisin rreziqe të tjera. Distanca 1,5 metra mes nxënësve nxjerr jashtë loje të gjithë sistemin arsimor shqiptar, sepse i detyron klasat të ndahen në 2-3 pjesë dhe kërkon rrjedhimisht edhe 2-3 herë më tepër ngarkesë për mësuesin. Në shkollat e mbingarkuara të Durrësit posttërmet, kjo do të përkthehet me mësim me 4 turne. Shumica dërrmuese e shkollave (të gjitha shkollat publike) do të detyrohen të bëjnë orë të shkurtuara. Orët shtesë do të merren përsipër nga mësuesit ekzistues, gjë që do të ulë ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies, ose nga mësues “rezervë”, të cilët me shumë gjasa nuk ofrojnë shumë cilësi gjithsesi.

Por le të krahasojmë rreziqet. Sipas studimeve aktuale, nxënësit jo vetëm që sëmurën shumë më pak, por edhe e përcjellin shumë pak virusin te të rriturit. Hapja e shkollave në gjithë Europën nuk ka ndikuar aspak në kurbën e infektimeve të përgjithshme dhe rrjedhimisht, nuk ka impakt në shoqëri. Stafi i shkollave nuk është infektuar me tepër sesa kategoritë e tjera profesionale.

Tani të shohim rreziqet që shkaktohen nga dëmtimi i cilësisë së mësimdhënies, për shkak të kufizimit të shkaktuar nga distanca 1,5-2 metra mes nxënësve. Fillimisht duhet thënë se distancimi i parashikuar nga autoritetet shëndetësore do të jetë tërësisht i pakuptimtë kur sheh se jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit e tyre vijojnë jetën e tyre normalisht e madje, pothuajse pa distancim e mjete mbrojtëse, qoftë në mjedise shoqërore, qoftë në plazhe. Përfytyroni: fëmijët do të qëndrojnë në distancë nga njëri-tjetri në shkollë dhe një orë më pas do të vijojnë jetën normalisht me grupet e shokëve nëpër lagje, kurse, kënde lojërash etj.

Arsimi shqiptar nuk ishte në ditët e veta më të mira as përpara pandemisë. Mbyllja e shkollave i dha një goditje të madhe, sepse shumica dërrmuese e shkollave nuk arritën të realizojnë mësim online cilësor. Një pjesë e nxënësve dhe mësuesve nuk kanë as mjetet e përshtatshme për mësim online. Mësimi online, për 90% të nxënësve shqiptarë ishte më tepër një përballje stoike me fatin, sesa proces mësimor. Me vendosjen e distancës 1,5 metra, shumica dërrmuese e shkollave do të vendosen përballë një situate të ngjashme: më tepër sesa mësim, do të jetë formalitet. Për më tepër, pavarësisht përcaktimit të protokolleve, shumica e nxënësve në shkollat me nivel të ulët, autoriteti drejtues do ta harrojë protokollin që ditën e dytë.

Praktikisht, për shumicën e madhe të nxënësve shqiptarë, ky vit i ardhshëm i organizuar në turne, me mësues të mbilodhur ose të “kategorisë së dytë” dhe me orë të shkurtuara do të jetë pothuajse një vit i humbur nga pikëpamja arsimore. I gjithë ky dëm do të shkaktohet me vetëdije të plotë për të shmangur një rrezik minimal që është marrë përsipër nga gjithë pjesa tjetër e Europës. E gjithë kjo, sepse Shqipëria do të zbatojë një standard distancimi prej 1,5-2 metrash, që nuk e zbatojnë vendet e tjera.

Është e kotë të kritikosh Ministrinë e Arsimit, sepse nuk është në dorën e saj të caktojë protokollet shëndetësore. Madje, është ndoshta edhe pak e padrejtë të kritikosh Ministrinë e Shëndetësisë për protokollin e përcaktuar. Mjekët e shohin natyrshëm rrezikun shëndetësor si përparësor, por nuk mund të presësh prej tyre të vlerësojnë pasojat e tjera dhe t’i krahasojnë. Nuk është detyra e mjekut të marrë vendimet që prekin çdo aspekt të shoqërisë. Detyra e mjekut është të na thotë rreziqet që paraqiten nga një skenar i caktuar. Është detyra e politikanit që të vlerësojë se cili nga rreziqet është më i përballueshmi dhe me më pak pasoja. Në Republikën Shëndetësore të Shqipërisë, politikani duhet të kishte kuptuar tashmë se njësoj si karantina shkatërroi ekonominë pa shmangur rrezikun e pandemisë, edhe protokollet e ekzagjeruara shëndetësore në shkolla mund të godasin rëndë arsimin pa asnjë përfitim të prekshëm për shoqërinë dhe shëndetin publik.

%d bloggers like this: