Përplasja Greqi-Turqi dhe Shqipëria

NGA DR. ARBEN RAMKAJ

Ndonëse fqinjë me njëri-tjetrin, raportet shtetërore Turqi-Greqi kanë qenë ndër dekada të vështira dhe të mbushura me tensione. Përshkallëzimi i rrezikshëm dhe me pasoja potencialisht të rënda për rajonin dhe më gjerë i ditëve të fundit mbart padyshim ankesat dhe mëritë e vjetra historike, por sigurisht të përziera edhe me elementë të real-politikës së sotme, të bazuar kryesisht tek interesat ekonomike.

Që të dyja vendet kanë lënë pak vite më parë efektet dërrmuese të krizës ekonomike globale që nisi në vitet 2007-2008. Greqia, që një dekadë më parë ishte në prag të falimentimit si shtet, doli sigurisht shumë më e drobitur. Vetëm turizmi, motori kryesor i ekonomisë, nuk mund të ndihmojë në një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë. Aq më tepër që për 1 ose më shumë vite për shkak të pandemisë, ky sektor nuk do të japë dot maksimumin e vet. Nga ana tjetër, Turqia nuk pësoi të njëjtën goditje traumatike. Por si një ekonomi e integruar me atë globale, edhe ajo po i ndien fort pasojat e krizës ekonomike, që tani po rëndohen edhe nga pandemia e COVID-19. Prandaj, është më se e kuptueshme që të dyja vendet janë shumë të etura të shfrytëzojnë në maksimum burimet e tyre natyrore

Vitet e fundit, kompanitë më të mëdha botërore kanë kryer shpime në ujërat e Mesdheut Lindor, duke zbuluar ekzistencën e rezervave të jashtëzakonshme të naftës dhe gazit natyror, me vlerë trilionë dollarë. Dhe potenciali i madh ekonomik që kanë këto burime është më se i kuptueshëm, mjafton të shohim shtetet e pasura të Gjirit dhe konfliktet e tyre të përhershme. Në këtë kontekst, janë intensifikuar vitet e fundit aleancat mes shteteve dhe nënshkrimet e marrëveshjeve mbi ndarjen e Zonave Ekskluzive Ekonomike. Por, sikurse po ndodh, shumë nga këto marrëveshje po u mbivendosen marrëveshjeve të ngjashme, duke rritur gjasat e përplasjeve të forta.

Dhe ajo që bie në sy në këtë rast, është dominimi thuajse total i interesave kombëtare dhe gjeopolitike të shteteve të ndryshme dhe mungesa e institucioneve ndërkombëtare, që mund të luanin rolin e një arbitri.

BE, NATO apo edhe OKB po qëndrojnë përgjithësisht të heshtura dhe apatike teksa dy fuqi rajonale, që të dyja anëtare të aleancës më të madhe ushtarake në botë, po flirtojnë me luftën ndaj njëratjetrës. Aktorët kyçë në politikën globale, SHBA, Gjermania apo Franca, po veprojnë kryesisht veçmas, duke mbështetur Turqinë apo Greqinë pa një koordinim paraprak mes tyre mbi garantimin e asaj që duhet të jetë në interesin më të mirë të rajonit, Europës dhe me gjerë: uljen e tensioneve dhe uljen e palëve në tryezë për të diskutuar vendosjen e disa parimeve bazë, mbi të cilat mund të futen gradualisht në hullinë e zgjidhjes këto mosmarrëveshje.

Presidenti turk Erdogan është akuzuar shpesh kohët e fundit nga mediat perëndimore, sidomos pas vendimit mbi Hagia Sofia, se po forcon dozat e nacionalizmit, për të mbajtur sa më gjatë pushtetin, përmes kërkesës për rishikimin e Traktatit të Lozanës së vitit 1923 midis Turqisë dhe Greqisë, që caktoi në vija të përgjithshme kufijtë midis 2 vendeve. Në fakt, ankesat e Turqisë ndaj këtij traktati kanë qenë të vjetra dhe kanë dominuar shumicën e elitës drejtuese të Turqisë. Zbarkimi i ushtrisë turke në vitin 1974 në pjesën veriore të ishullit të Qipros të banuar në shumicë nga turqit, u nxit kryesisht nga pakënaqësia me ndarjen e mijëra ishujve në Egje nga traktati në fjalë.

Presidenti Erdoan dhe kabineti i tij e risolli më zëshëm në skenë këtë debat në vjeshtën e vitit 2016, ku kërkoi haptazi rishikimin e tij në bazë të ligjeve ndërkombëtare. Në fakt, vizioni i tij politik u ndërtua mbi parullën ‘Turqia qëllimet e veta i realizon n’ 2023′. Që nga ajo kohë, fqinjët grekë u tronditën dhe e kanë thelluar debatin e brendshëm politik.

Duke i rënë alarmit se “Turqia do të na marrë ishujt e Egjeut”, Athina zyrtare ka vendosur në epiqendër të politikes së saj një politikë të jashtme agresive me fokus zgjidhjen e problemeve kufitare me fqinjët e saj duke lënë për në fund konfliktin me Turqinë. Kështu, negociatat e reja mbi kufirin detar me Shqipërinë, që shënuan një përparim domethënës gjatë negociatave Bushati-Kocias, ngrinë për një periudhë të pacaktuar me qeverinë e re të Kryeministrit Mitsotakis.

Më së fundmi, Greqia nënshkroi marrëveshjen me Egjiptin për ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike, për të cilën ish-ministri Kocias ka qenë shumë kritik, duke theksuar se ajo do të dobësojë pozitat e Athinës në negociatat e ardhshme me Tiranën dhe Ankaranë. Dhe kjo, pasi marrëveshja Egjipt-Qipro është arritur sipas parimit të “kufirit të mesëm”, ndërsa tek ajo me Greqinë është marrë parasysh gjatësia e vijës bregdetare. Në argumentet e tij pro rishikimit, Erdogan thotë se Traktati i Lozanës pati nënshkruese edhe vende të tjera veç Turqisë dhe Greqisë, si Franca, Britania, Italia, dhe është detyrues për politikën ndërkombëtare ashtu siç ndodhi me mbarimin e marrëveshjes së kthimit të Hong Kongut republikës së Kinës.

Pra, ai po ushtron presion për një “marrëveshje të madhe”, si ajo që SHBA po tenton të arrijë në Lindjen e Mesme mes izraelitëve dhe palestinezeve. Ai ka përmendur edhe shtypjen graduale të të drejtave të pakicës turke në lindje të Greqisë, në rajonin e Thrakisë Perëndimore.

Por, mbi të gjitha, militarizimin e ishujve Mitilini, Lemnos, Kios, Kos dhe Rodos, që, sipas traktatit, duhej të ishin të demilitarizuar, por të cilat Greqia i ka mbushur ato me baza ushtarake, duke shkelur kësisoj sipas Turqve konventat ndërkombëtare.

Natyrisht, rishikimi në bllok i traktatit vështirë se mund të ndodhë, pasi kjo mund të krijonte precedentë për rihapjen e shumë çështjeve të ngjashme. Megjithatë, Presidenti Erdogan, si një lojtar i sprovuar tashmë në arenën gjeopolitike, po u mëshon pretendimeve maksimaliste, me synim marrjen e maksimumit.

Dhe maksimumi është një qasje proporcionale në fushat nënujore të naftës dhe gazit në Mesdheun Lindor, në mënyrë që turqit, ashtu si grekët, të mund t’i gëzohen mirëqenies që garantojnë pasuritë e mëdha natyrorë të zonës. Vetë Presidenti turk i është referuar disa raste qasjes “win-win”, pra, arritjes së një marrëveshjeje, ku të jenë të gjithë të fituar dhe asnjë i humbur.

Meqë ky koncept pragmatist është një tipar endemik i diplomacisë anglo-saksone, ka të ngjarë që qasja e propozuar nga Turqia të përqafohet nga fuqitë e mëdha, të cilat sot për sot po i aviten kësaj krize me njëfarë ndrojtje.

Lind pyetja: Po Shqipëria, a do të dijë të përvetësojë si duhet leksionet e kësaj përplasjeje? Si duhet të sillet ajo në raundet e ardhshme të negociatave me Athinën për kufirin detar?

Gjykoj se në radhë të parë baza duhet të jetë vendimi i Gjykatës sonë Kushtetuese të 15 prillit 2010, që e cilësoi marrëveshjen e vitit 2009 si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92 pika “ë” të Kushtetutës.

Ajo marrëveshje pati probleme të mëdha, pasi delegacioni shqiptar anashkaloi Presidentin gjatë zhvillimit të negociatave, pati mangësi serioze në përmbajtje, nuk zbatoi parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm dhe nuk mori parasysh ishujt midis si rrethanë e veçantë në delimitimin e hapësirave detare.

Së dyti, Tirana e cilëson Greqinë si partneren strategjike të Shqipërisë, dhe kjo është e drejtë, pasi ajo ka në dorë anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian. Por, fakt është se dallgët e nacionalizimit në Greqi rriten dhe ulen sipas partive të majta apo të djathta që qeverisin vendin.

Janë të shumta rastet e përplasjeve mes 2 vendeve, në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Dhe, në çdo rast, edhe incidenti më i vogël apo i parëndësishëm është trajtuar me tone shumë dramatike në Athinë.

Së treti, pavarësisht se jemi një vend shumë më i vogël dhe i pafuqishëm krahasuar me Turqinë, duhet të mos harrojmë se dinjiteti dhe interesi kombëtar ecin përkrah njëri-tjetrit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ashtu siç e dëshmoi pak vite më parë Ditmir Bushati në negociatat me Nikos Kocias, Tirana zyrtare nuk duhet që të ketë asnjë kompleks të ngrejë për diskutim shumë probleme, zgjidhja e të cilave është në dorën e grekëve si shkollat për emigrantët shqiptarë atje apo çështja e pronave të konfiskuara shqiptarëve të Çamërisë, e trajtuar kjo si një çështje e të drejtave të njeriut dhe jo si një pretendim territorial.

Ndërkohë, nga ana tjetër, nuk duhet harruar se një aleate strategjike e vendit tonë është edhe Turqia, që në 3 dekadat e fundit na ka dhënë një ndihmë të gjithanshme vendit dhe sidomos për modernizimin e ushtrisë shqiptare, duke e ndihmuar atë të ishte e gatshme të bëhej pjesë e NATO-s. Ndërsa me republikën e Greqisë vazhdon të mbetet në fuqi ligji i luftës dhe mosnjohja e republikës se Kosovës, çështje kyç për interesat tona kombëtare.

E fundit, por jo nga rëndësia. Ministria jonë e Jashtme duhet të angazhojë ekspertët e saj më të mirë, për t’i analizuar mirë marrëveshjet e fundit të Greqisë me Egjiptin apo vende të tjera, duke kërkuar reciprocitet dhe një ndarje të ndershme të kufijve se saj detar.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me dinjitetin, por mbi të gjitha me interesat praktike, që përkthehen në interesa të thellë ekonomikë. Nuk është rastësi që pikërisht në ujërat e kontestuar mes 2 vendeve, kompania britanike dhe amerikane po vazhdojnë kërkimet, teksa deri tani kanë konfirmuar zbulimin e të paktën 3 fushave naftëmbajtëse në jug të Detit Jon.

“Lufta” diplomatike që u paraprin marrëveshjeve të tilla nuk është thjesht një përpjekje e qeverisë së radhës këtu apo atje. Ajo ka rëndësi madhore, pasi do të përcaktojë fatin e brezave të tërë në dekadat e ardhshme.

Por, për fat të keq, ky diskutim publik i rëndësishëm për Shqipërinë në opinionin publik trajtohet si një konflikt i rëndomtë turko-grek. Që në majin e vitit 2017, qeveria greke dha me koncesion kuadratet detare për shpimet për naftë dhe gaz. Dhe mes zonave të dhëna me koncesion ishte “Joni 2”, kuadrati që shtrihet në veri të ishullit të Korfuzit, një pjesë e të cilit mbivendoset në zonën e diskutueshme mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo zonë iu dha konsorciumit “Total France”, “Elpe” dhe italianëve të “Edison”, dhe shpimi i parë u krye në vitin 2018, pikërisht në kohën kur vazhdonin negociatat mes ministrave Bushati dhe Kocias mbi çështjen e kufirit detar.

Ndërkohë, në dhjetor 2018, Greqia njoftoi se do të investonte 500 milionë euro për të kërkuar naftë në Detin Jon. Shpimet po kryhen aktualisht nga Hellenic Hydrocarbon Resources (HHRM), deri në thellësinë 3.000 metra.

Nafta dhe gazi natyror që do të shfrytëzohen në zonat në fjalë, pritet të sjellin fitime deri në 3.5 trilionë dollarë në 2 dekadat e ardhshme, ku rreth 600 miliardë dollarë do t’i përfitojë shteti grek.

Ndryshe nga Ankaraja që mbron me të drejtë deri në fund interesat e saj, qeveria shqiptare nuk ka krijuar frymë kombëtare mbi këto shpime në Detin Jon. Disa vite më parë, autoritetet tona konfirmuan se Shqipëria zotëron 13 blloqe për kërkime nafte dhe gazi në tokë edhe në det.

Midis tyre është blloku ‘Joni 5’, ku zona naftëmbajtëse përkon me pjesën më të madhe në Detin Jon, në jug të vendit në kufi me Greqinë. Harta e realizuar në fund të viteve 1980 përcakton se zona në fjalë nis nga cepi i Gadishullit të Karaburunit dhe përfundon në skajin më jugor të Shqipërisë. Tirana zyrtare duket se po punon në heshtje për arritjen e një marrëveshjeje të re me Athinën. Makiaveli citon “Meqenëse dashuria dhe frika vështirë se mund të ekzistojnë së bashku, nëse duhet të zgjedhim mes tyre, është shumë më e sigurt të kesh frikë sesa të duash”. Mendoj që Tirana zyrtare frikën duhet ta kthejë në shpresë, por deri atëherë të presim…

%d bloggers like this: