Pasojat e pasivitetit të shoqërisë

AGIM BAÇI 

Filozofi dhe profesori gjerman i Historisë së Ideve Politike në Universitetin Princton, JanWerner Muller, shkruan se qeverisjet populiste shfaqin tri tipare pas ardhjes së tyre në pushtet: tentativë për të marrë peng aparatin shtetëror, korrupsion dhe “klientelizëm masiv” dhe përpjekje sistematike për të ndryshuar shoqërinë civile. Madje, Muller vë theksin më shumë te kjo e fundit, si një hap që vë në dyshim të madh çdo alternativë mendimi të shoqërisë jashtë asaj që sugjerojnë populistët në pushtet. Sipas tij, qeveritë me drejtim populist janë të ashpër me shoqërinë civile dhe me mendimin e qytetarëve që kanë një emër publik, pasi ata mund të vënë në dyshim përfaqësimin e mendimit popullor, për të cilin flasin populistët dhe se mund të përmbajnë një moral krejt tjetër nga ai që pretendon se përfaqëson qeveria e dalë nga lëvizjet populiste. Ndaj edhe çdo lëvizje të shoqërisë civile që nuk i vjen sipas dëshirës, populistët mundohen ta identifikojnë me kundërshtarin politik, duke dhënë idenë se ajo që thonë qytetarët nuk është një kundërshti ndaj politikave qeverisëse, por një shtyrje nga kundërshtarët politikë që duan të vijnë në pushtet.

Idenë e Muller e mbështet edhe teoricieni i shkencave politike, Ivan Krastev, i cili shprehet se populizmi është një hije e përhershme në politikën përfaqësuese. Sipas Krastev, pavarësisht se populistët vijnë në pushtet përmes “frymës popullore”, ata dëshirojnë që menjëherë të krijojnë “një shoqëri të vetme mendimi”, pra, duke përjashtuar alternativat dhe duke kërkuar që mendimi i vetëm që ia vlen të debatohet është pikërisht ajo që populistët kanë pasur në programin e tyre.

Ndërkaq, populistët gjithnjë joshin qytetarët se zëri i tyre dëgjohet dhe se janë apo do të jenë pjesë e përditshme e qeverisjes. Madje, zëri i qytetarëve përdoret më së shumti që populistët të bëjnë ndryshime kushtetuese, duke anashkaluar edhe procedurat, pasi, sipas populistëve “zëri i popullit ka rëndësi të jetë i pari dhe jo procedurat”. Kjo joshje ndaj qytetarëve kthehet kështu në një armë ndaj kujtdo që kundërshton këto ndryshime, pasi zërave që protestojnë apo argumentojnë ide të ndryshme nga populistët u vihet përballë “zëri i shoqërisë”. Teoricienët politikë shprehen se populistët, pas ardhjes në pushtet, investojnë në mënyrë të hapur për një pasivitet të shoqërisë. Duke i bërë të besojnë se tashmë idetë e tyre janë njësh me interesat e qeverisjes populiste, qytetarëve u “sugjerohet” që të kritikojnë qeverisjet e mëparshme dhe të mbrojnë “përfaqësuesit e popullit”, që të jenë të qetë në rrugën e tyre për të ardhmen. Debatet në media dominohen nga debati mbi qeveritë e shkuara si dhe delegjitimimi i kundërshtarit politik përmes shmangies së alternativave në debat.

Gjithashtu, politologë të ndryshëm vënë theksin se populizmit i paraprin zhdukja e demokracive partiake. “Në fillim, populistët zhdukin demokracinë partiake. Kjo i hap rrugë zhdukjes së çdo mendimi kundërshtues apo alternativ”, shprehet profesori irlandez i Shkencave Politike, Peter Mair. Sipas Mair, pasiviteti fillimisht ushtrohet nëpër parti, duke zhdukur diversitetin e mendimeve, që më pas ushtrohet edhe në qeverisje.

Ky pasivitet i shoqërisë përfshin më pas mungesën e denoncimit të së keqes, mungesën e denoncimit të korrupsionit apo shkeljes së ligjit. Populistët mbështesin atë që filozofi amerikan e quan “vetëfajësim i qytetarit”, ku gjithkush fajëson veten se nuk ishte i zoti të merrte nga ajo që kishte në dorë në punët e tij, apo me fqinjët e tij. Populistët më pas ndërfuten në këtë pasivitet dhe aplikojnë një komunikim individual me qytetarët, duke i dhënë idenë që rruga e vetme është ajo e bashkëbisedimit me ta dhe jo protestat apo mbështetja e rrugëve alternative me ide politike. Dhe pakkush nga ata që bëhen pasivë e kuptojnë se i kanë hapur rrugën mungesës së tyre të lirisë, e cila është prezente në çdo shoqëri, sa herë që nuk ka diversitet idesh, alternativash dhe mendimesh.

%d bloggers like this: