Minberi, nder dhe përgjegjësi

I dashur imam,

Se dita e xhuma ka vlerë të veçantë, është e gjithënjohur. Por, edhe se në këtë ditë, unë, ti dhe kolegët kemi një barrë dhe përgjegjësi, është e njohur për shumicën prej nesh. Përgatitja e hutbes (ligjëratës ceremoniale të xhumasë) dhe mbajtja e saj para një audience çfarë e kemi në xhamitë tona, nuk është aspak e lehtë. Kanë kaluar më tepër se tridhjetë vite prej se e kam mbajtur hutben e parë në xhami. Dhe janë rreth njëzet vite që rregullisht mbaj hutbe dhe, më duhet të pranoj se kjo është sfida kryesore e javës sime, kur nuk ka të papritura.
Është gjë e mirë që xhemati shqipfolës sot ka luksin e zgjedhjes së xhamisë ku do të falë xhumanë dhe ligjëruesit që do të dëgjojë. Pra, ka mundësi të zgjedh mirë dhe më mirë. Kjo është përparësia e atyre që falin xhumanë sot, por kjo njëkohësisht është përgjegjësia e atyre që ligjërojnë.
Nuk dua të shes mend se si duhet të ligjërohet, por po e ndaj një përvojë personale:
Para më se pesëmbëdhjetë vitesh më pati thënë një zotëri shumë i respektuar, që atëbotë përcillte rregullisht hutbet e mia:
– Hoxhë, dua të ta kujtoj se Allahu e ka ngritur hatibin (ligjërusin në xhuma), ashtu që ai qëndron në një binë (që quhet minber) ku niveli i thembrave të tij arrin ose tejkalon nivelin e atyre që dëgjojnë…
Kjo fjalë mi pat hapur sytë me gishta. Vërtetë njerëzit vijnë për të falur xhumanë dhe dëgjuar hutben. Ata dëgjojnë me vëmendje, pa bërë zë, pa lëvizur, duke qëndruar ulur në pozicion aspak komod dhe me këtë çojnë në vend urdhërin dhe obligimin fetar. Në anën tjetër, imami, ligjëruesi e ka luksin të zgjedh temën, fjalët, gjatësinë e ligjëratës, stilin dhe tonin e ligjërimit, e shumë gjëra tjera. Por, motivi është i njejtë me atë të xhematit. Edhe ky e ka obligim fetar.
Kur e kuptojmë këtë, qëndrimin në minber dhe mundësinë për të folur e ligjëruar, për ta zgjatur apo mbajtur shkurt hutben, përgatitjen paraprake, e shumë gjëra tjera, do ti përjetojmë si obligim, e jo si luks dhe si përgjegjësi e jo privilegj.
Po deshe të jesh i suksesshëm gjatë hutbes, bëje një kopje të vetes dhe ule aty poshtë në mesin e xhematit dhe shih e përjeto atë që përjeton xhemati: fjalët, tonin, kohën, shembujt, maturinë…
Thjesht, sa për përkujtim. Kërkoj hallall.

Hoxhë Ekrem Avdiu

%d bloggers like this: