Maska e fundit e opozitave pro regjim

VEHAP KOLA

Edi Rama është ri mishërim besnik i personazhit tolstojan, kontit Turbin. Ai bashkon në vete dhunë dhe lehtësirë. Tolstoi e bën kontin Turbin që të kryejë gjithnjë gjërat që nuk duhen bërë, por u jep lëvizjeve të tij dhuratën e një drejtësie të mrekullueshme. Turbini është në gjendje të marrë hua lekë nga një snob e as e shpie ndërmend t’ia kthejë, madje ta fyejë e ta keqtrajtojë, të joshë motrën e tij vejushë duke u fshehur në karrocën e saj, pa e vrarë mendjen se ajo komprometohet duke dalë ai i veshur me peliçen e burrit të saj të vdekur.

Një sjellje të tillë, ai nuk po ua kursen as krijesave të tij në role opozitare. Asgjë më shumë se propozimi i së ashtuquajturës opozitë parlamentare për pengimin me ligj të koalicioneve parazgjedhore nuk kishte provuar më mirë përpara shqiptarëve, se ata që mbajtën apo pranuan mandatet pas daljes së opozitës nga Parlamenti, ishin thjesht aneks i regjimit oligarkik të Edi Ramës. Madje, as votimet e tyre në rresht në favor të ligjeve më antikushtetuese që ka miratuar Rama ndonjëherë në atë sallë – ligji i censurës së mediave elektronike, ndryshimi drakonian i Kodit Penal gjatë pandemisë, zgjatja antikushtetuese e gjendjes së jashtëzakonshme – një pjesë e të cilëve janë gjetur në shkelje të Kushtetutës nga Komisioni i Venecias.

Pasi kauza “ekzistenciale” e sistemit zgjedhor nuk mjaftoi për ta përçarë dhe diskredituar opozitën, sepse zbardhja e bisedave në Këshillin Politik nxori zbuluar regjimin, opozitat e fabrikuara nga Rama dhe Veliaj i hoqën maskat dhe dolën hapur. Propozimi për të penguar me ligj krijimin e koalicioneve parazgjedhore është anija e fundit e shpëtimit, që këto opozita njëpërdorimshme mund t’i ofronin Ramës. Me hedhjen e këtij propozimi në diskutim, opozitat parafabrikate si grupimet parlamentare dhe e ashtuquajtura shoqëri civile e lidhur me to, nënshkruan edhe përfundimin e misionit të tyre në debatin publik.

Koalicionet parazgjedhore janë natyrshëm në favor të opozitës, veçanërisht në këtë konfigurim të skenës politike shqiptare sot. Duke mos pasur nevojë për askënd dhe duke mos dashur të ndajë pushtet me askënd, Rama ka humbur të gjitha lidhjet me partitë politike që mund të mbledhin sadopak vota. Edhe pse ai është në gjendje të krijojë një koalicion fasadë për të përfituar nga sistemi elektoral duke thirrur partitë bija të Partisë së Punës, prapëseprapë nguti i Ramës për t’ua hequr maskën opozitave të tij antiopozitare tregon se ka mjaftueshëm të dhëna që koalicioni opozitar ia del ta mundë në zgjedhje.

Me pak fjalë, Ramës i nevojitet që në zgjedhjet e ardhshme të renditet parti ose koalicion i parë. Kjo i garanton të marrë mandatin nga Presidenti për të formuar qeverinë. Me pushtetin e pamat politik, ekonomik, juridik dhe propagandistik që ka akumuluar, ai është i bindur se është në gjendje të shkëpusë nga opozita mandate apo parti të paduruara për të ardhur në pushtet dhe të krijojë kështu një shumicë të thjeshtë. Me atë shumicë, ai është në gjendje të krijojë qeverinë. Votime të rëndësishme me shumica të cilësuara nuk kanë mbetur, pasi institucionet e drejtësisë i ka vënë për udhë, ndërsa për KQZnë duket se ka një plan tjetër.

Ndërsa lëvizja më e fundit e regjimit oligarkik Rama-Veliaj për të manipuluar zgjedhjet është emërimi prej tyre i të gjithë anëtarëve të KQZ-së, opozitat e dala nga laboratori i pushtetit ishin mbledhur t’i servirnin opinionit publik një gjellë të re me harxhe të vjetra. Nëse partitë politike të koalicionit opozitar ngrenë zërin për të kërkuar zbatimin e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësinë e zyrës së delegacionit europian, përfaqësues të shoqërisë civile dhe opozitës parlamentare ishin mbledhur në një hotel luksoz të kryeqytetit për të rihapur çështjen e listave.

Në fund të fundit, cili është ndryshimi thelbësor ndërmjet administrimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet nga administrata publike e kontrolluar nga Rama dhe kontrollit të plotë të KQZ-së po nga Rama? Përse opozitat e kudogjendura për kauza interesante të dorës së dytë nuk shqetësohen për këtë plan të regjimit oligarkik për të kapur brutalisht zgjedhjet? Arsyeja e kësaj heshtjeje nuk duhet të jetë shumë e ndryshme nga arsyeja që i bëri të heshtnin edhe herën e parë, kur Rama kërkoi dhe pothuajse e fitoi (të paktën në ambasadën e SHBAsë) administrimin monopartiak të zgjedhjeve.

Nëse institucioni që administron zgjedhjet do të bjerë plotësisht në dorën e Ramës, cila do të jetë vlera e listave të hapura? Domethënë, nëse kandidatët që do të përzgjidhen nga kryetarët e partive apo me primare farsë do të garojnë ndërmjet tyre, kjo do të mjaftojë si arritja e madhe e zgjedhjeve që po vijnë. Largimi i Ramës nga pushteti, si hapi i parë i çinstalimit të regjimit të tij, është siç duket një objektiv dytësor ndaj adrenalinës që ofron gara për shifrat e votave që do të akumulojnë kandidatët e oligarkëve të medias.

E gjithë orkestra e shoqatave, lëvizjeve, grupeve parlamentare të opozitës del në këtë mënyrë pa maskë përpara shqiptarëve. Sulmi special, që një prej këtyre organizatave ndërmori ndaj opozitës gjatë javëve të fundit, është i kuptueshëm me heshtjen e saj ndaj propozimit të opozitës së re për pengimin me ligj të koalicioneve. Pasi u bë e qartë se refuzuesi i sistemit me lista të hapura në Këshillin Politik kishte qenë përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, lufta për lista të hapura iu rikthye formulave të mëhershme: sulm uniform ndaj regjimit dhe ndaj opozitës.

Ashtu si vejushëza e ngashënjyer nga konti Turbin, secila prej opozitave të projektuara prej Ramës duket se nuk druhet më nga rënia e maskës së paanësisë, pavarësisë apo principalitetit në çështjet e dorës së dytë. Por, lajmi i vërtetë që shënon rënia e maskës së opozitave të emëruara është gjendja e vështirë në të cilën duhet të jetë Edi Rama, që është detyruar t’i nxjerrë në skenë pa maskë.

%d bloggers like this: