Likaj për fillimin e mësimit në veri: U bë sipas plan programit të Qeverisë së Serbisë

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, thotë se ka informacione se institucionet që janë në komunat veriore kanë nisur mësimin edhe pse autoritetet qendrore kanë vendosur që një gjë e tillë të mos bëhet deri më 14 shtator. Për këtë, Likaj tha se është politikë 20 vjeçare dhe se nuk kanë mundësi të bëjnë ndryshime me shkop magjik.

Këto deklarata, Likaj i bëri gjatë vizitës ne shkollën ‘Pjetër Bogdani’ në Prishtinë, së bashku me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe drejtoreshën e DKA-së në Prishtinë, Shpresa Shala, panë nga afër përgatitjet që po bëhen në këtë institucion për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka njoftuar se në 30 komunat e Kosovës po bëhen përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe se pjesa dërrmuese e tyre janë duke punuar maksimalisht në këtë aspekt.

Ai premtoi përkrahje për të gjitha institucionet arsimore, duke theksuar se para pak ditëve ka vizituar disa shkolla edhe në pjesën veriore, megjithatë pohoi se kjo pjesë ka filluar mësimin online në bazë të plan programit të Qeverisë së Serbisë, shkruan KosovaPress.

“Ministria e Arsimit, Qeveria e Kosovës është qeveri e të gjithë qytetarëve të saj. Ne kemi marrë informacione se ata kanë filluar mësimin online. Kjo është politikë 20 vjeçare, e cila nuk është zgjidhur. Ne nuk e kemi shkopin magjik. Jemi duke e bërë më të mirën edhe për ta”, u shpreh ai.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari tha se përzgjedhja e shkollave sot është bërë në mënyrë të rastësishme, e ndër të tjera u shpreh i kënaqur me përgatitjet qe janë bërë në këtë shkollë.

“Gjatë këtyre dy javëve edhe shkollat e tjera edhe institucionet arsimore në Kosovë, besoj do të jenë të përgatitura dhe me 14 shtator të fillojë me sukses vitin e ri shkollor”. tha ai.

I pyetur në lidhje me deklaratat e tij se edhe pas dy javësh mund të shtyhet mësimi, Jashari deklaroi se ky do të ishte skenari në rast se nuk do të bëheshin përgatitjet e nevojshme por që këto përgatitje janë duke ndodhur në të gjithë vendin.

“Këto deklarata kanë qenë të lidhura me pyetjet që i kanë bërë mediat se çka nëse nuk bëhen përgatitjet. Përgjigja ka qenë natyrale, nëse nuk bëhen përgatitjet ne do të kishim dalë me një apel. Jo vetëm në Prishtinë por edhe në komunat e tjera janë duke u bërë përgatitjet, dhe nëse vazhdon ky aktivitet, atëherë institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të gatshme”, ka deklaruar ai.

Sipas drejtoreshës së DKA-së ne Prishtinë, Shpresa Shala, Komuna e Prishtinës ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor me 14 shtator. Sipas saj, 46 institucione edukatoivo-arsimore janë rinovuar gjatë muajve të verës.

“Është nënshkruar kontrata dhe është në proces bartja e të gjitha materialeve te cilat janë të përfshira në udhëzuesit nga Ministria e Arsimit. Po ashtu kemi marrë informacione për numrin e nxënësve te cilët kanë probleme shëndetësore. Janë pajisur shkollat me dezinfektues dhe janë duke u bartur pajisjet e tjera. Gjithashtu kemi bërë renovime gjatë periudhës së verës në 46 institucione edukativo-arsimore për të përmirësuar kushtet higjienike dhe sanitare në gjithë komunën e Prishtinës”, u shpreh ajo.

Ajo ka theksuar se numri i fëmijëve që janë në çerdhe është 50 për qind më i vogël se sa janë të regjistruar gjatë kësaj kohe, derisa edhe janë liruar nga pagesa. /KP/

%d bloggers like this: