“Hapja e Ajasofjes për adhurim nuk i heq statusin e trashëgimisë botërore”

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, tha se hapja e Ajasofjes për adhurim nuk i heq asgjë asaj nga identiteti i trashëgimisë botërore historike.

Në një intervistë eksluzive, Kalın iu përgjigj pyetjeve të Anadolu Agency (AA) mbi zhvillimet e fundit.

“Ajasofja sërish do të jetë e hapur për vizitorë”

Në pyetjet: “Ekziston një proces në Këshillin Shtetëror në lidhje me Ajasofjen. Megjithatë, nga njëra anë, një deklaratë erdhi nga Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër deklaratë për Ajasofjen kishte edhe nga Greqia. Si i vlerësoni këto deklarata? Çfarë do të shohim në ditët në vijim lidhur me Ajasofjen?”, Kalın deklaroi se çështja e shndërrimit të Ajasofjes në xhami është çështje që ka qenë në rendin e ditës për shumë vite dhe që ka pasur kërkesë shoqërore dhe për të cilën duhet pasur përgjigje.

Ai rikujtoi se janë shfaqur kritikë të cilët pohojnë se “Nëse Ajasofja shndërrohet në xhami, do të zhduket trashëgimia e saj botërore”.

“Disa nga vendet që përmendët kanë bërë kritika ose deklarata në këtë drejtim. Por kjo nuk na duket aspak ashtu. Të gjitha xhamitë tona të ndërtuara nga sulltanët (Selatin), siç janë Xhamia Sulltanahmet, Xhamia Fatih, Sulejmanije dhe xhamitë e tjera, janë të hapura për adhurim dhe vizita. Turistët gjithashtu shkojnë, ata mund t’i vizitojnë këto në periudha të caktuara në kuadër të rregullave të caktuara. Këto vende nuk duhet doemos të jenë muze që turistët e huaj ose vendas t’i vizitojnë ato. Është shembull i Notre Dame në Paris. Është edhe kishë, edhe muze. Gjatë ritualeve, njerëzit shkojnë atje. Të krishterët kryejnë rituale. Në kohë normale, edhe turistët shkojnë për vizitë. Po ashtu, në Paris gjendet edhe Kisha Sacre Coeur. Nuk ka asnjë pengesë për këtë gjë. Hapja e Ajasofjes për adhurim nuk i pengon turistët vendas ose të huaj ta vizitojnë atë. Prandaj, nuk bëhet fjalë për humbje trashëgimia botërore. Historia e këtij vendi filloi si kishë, vazhdoi si xhami dhe më pas vazhdoi si muze. Në mesin e këtyre tri identiteteve, mbase statusi muze është statusi më i largët i Ajasofjes gjatë tri jetëve të saj. Me fjalë të tjera, ajo u krijua si tempull, më vonë u shndërrua në xhami dhe vazhdoi në këtë mënyrë për më shumë se 500 vjet. Në vitet e para të republikës, ju e dini që Ajasofja funksiononte si xhami, domethënë deri në vitin 1934 […]. Prandaj, hapja për adhurime nuk zvogëlon identitetin historik të trashëgimisë botërore të Ajasofjes. Më shumë njerëz mund të shkojnë atje, ta vizitojnë. Ashtu sikurse paraardhësit tanë i mbajtën ikonat e krishtera atje, ato do të ruhen edhe në të ardhmen. Ajo do të hapet sërish për vizitorët. Për këtë bëhen punime. Këto nuk janë situata që mohojnë njëra-tjetrën”, deklaroi zëdhënësi presidencial turk.

Në pyetjen: “Nëse vlerësohet për nga pikëpamja, Evropa shndërrimin e një objekti që ishte kishë në xhami po përpiqet ta paraqesë si mostolerancë të Turqisë ndaj feve ndërkohë që, për shembull, qeveria juaj e dimë se po punon për hapjen e kishës në Akdamar, rihapjen e Manastirit Sumela dhe hapjen e Kishës së Hekurt në Stamboll. A do të mundet t’i përballojë Turqia kritikat në këtë drejtim?”, Kalın u përgjigj:

“Në të kaluarën, presidenti ynë bëri një deklaratë të madhe për këtë çështje. Ai tha se ‘Ndoshta qytetarët tanë mund të mos dinë, por në Turqi ka më shumë se 400 kisha dhe sinagoga po veprojnë në mënyrë aktive’. Nëse Republika e Turqisë ose populli apo shoqëria e saj do të kishte qëndrim shtypës ndaj pakicave jomuslimane, shpërfillës dhe mohues, sot në Turqi nuk do të kishte komunitet aktiv jomusliman, të krishterë apo hebre, qoftë edhe i vogël. Nëse funksionojnë kaq shumë kisha dhe sinagoga, kjo ndodh sepse shteti e ka pranuar kështu dhe shoqëria jonë e pranon këtë në mënyrë paqësore. Ata janë gjithashtu pjesë e shoqërisë sonë. Ata janë njerëz që kanë qenë pjesë e kësaj shoqërie për qindra vjet. Ne jetojmë me ta dhe do të vazhdojmë të jetojmë së bashku në Stamboll ose Mardin. Ne nuk kemi nevojë për përgjigjen ose ndërhyrjen e të tjerëve. Unë flas me qytetarët hebrenj dhe të krishterë të Republikës së Turqisë si qytetarë të barabartë, dhe nëse kanë nevoja, ne bëjmë çmos t’i përmbushim ato. Ne nuk kemi nevojë për ndërmjetësimin e të tjerëve. Presidenti ynë është një lider që ka demonstruar udhëheqjen më të madhe vizionare në këtë drejtim vitet e fundit. Për këtë mos më pyetni mua, por përfaqësuesit e komunitetit të krishterë dhe hebre, ata do t’jua thonë. Pra, kur bëhet fjalë për përmbushjen e nevojave fetare të këtyre komuniteteve, hapjen dhe mbrojtjen e tempujve, dhënien e nënshtetësisë për të plotësuar nevojën për klerë në kuvende fetare, në Saint Sinot dhe të tjera, si dhe për kthimin e patundshmërive të konfiskuara në të kaluarën, Turqia ka përshkuar një distancë vërtetë për t’u mburrur në 10-15 vitet e fundit. Janë ndërmarrë hapa që kontribuojnë në pluralizmin fetar, paqen dhe stabilitetin dhe janë ndërmarrë hapa historikë. Dhe kur e shikoni, mund të themi lehtësisht se komuniteti ynë jomusliman është i kënaqur me politikat dhe praktikat e shtetit, por nuk janë të kënaqur me ndërhyrjet e tilla nga jashtë”, tha Kalın.

Situata në Siri

I pyetur se “Si e shkon marrëveshja e nënshkruar midis Turqisë dhe Rusisë në lidhje me veriun e Sirisë” dhe se a ekziston ndonjë problem për sa u përket patrullimeve të përbashkëta, Kalın tha: “Aktualisht, patrullimet e përbashkëta po vazhdojnë brenda kornizës së armëpushimit në Idlib që presidenti ynë e bëri me Putinin më 5 mars. Armëpushimi po zbatohet në masë të madhe, por herë pas here shohim shkelje nga ana e regjimit”.

Duke theksuar se raporti i Komisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tregoi se “regjimi ka kryer krime lufte duke sulmuar civilët në Idlib”, Kalın deklaroi:

“Kjo ishte tashmë një çështje për të cilën kemi folur që në fillim. Me fjalë të tjera, duke ndëshkuar civilët, regjimi u përpoq të fitonte pozicione atje. Për këtë, ata përdorën pa mëshirë bomba fuçi, armë kimike dhe po ashtu u shkaktuan varre masive, vrasje masive, ndodhi një tragjedi e madhe njerëzore atje. Problemi nuk është zgjidhur në tërësi, por është pjesërisht nën kontroll. Në veçanti, mund të themi se një qetësi e pjesshme mbizotëron në Idlib, por pritja dhe thirrja jonë, siç u shpreh së fundmi edhe në Samitin Trilateral të Astanas, është që Idlibi të shpallet si një zonë e sigurt në kuptimin e plotë të fjalës dhe të trajtohet si e tillë. Përndryshe, nuk është e mundur të mbahen 3 deri në 3,5 milionë njerëz të bllokuar në Idlib në afat të gjatë”.

Kalin theksoi se PYD dhe YPG, të cilat janë degë e organizatës terroriste PKK në Siri, vazhdojnë aktivitetet e tyre terroriste dhe theksoi se akte të ndryshme terroriste janë kryer herë në Afrin, herë në Tel Rifat, e ndonjëherë edhe në lindje të Eufratit, si dhe janë sulmuar civilët.

Ai nënvizoi se nuk është e mundur që Turqia t’i lejojë këto akte.

“Lufta jonë do të vazhdojë kundër tyre në mënyrë të vendosur. Ushtarët tanë veprojnë intensivisht për të siguruar kontrollin dhe qetësinë në lindje të Eufratit. Këto aktivitete do të vazhdojnë pa ndërprerje”, tha Kalın.

Ai theksoi se për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Sirisë, duhet krijuar një qeveri kalimtare në kuadër të Rezolutës 2245 të OKB-së, të mbahen zgjedhje dhe të ndërtohet një strukturë politike legjitime që përfaqëson gjithë popullin, por shtoi se shihet qartë se një gjë e tillë nuk mund të arrihet nga ana e regjimit të Bashar al-Asadit.

“Të krijohet një themel kushtetues në Siri”

Në pyetjen se “A prisni një proces të ri?”, zëdhënësi presidencial tha se “ajo që duhet bërë në Siri është avancimi i procesit politik në korniza të Rezolutës 2254 të OKB-së, të finalizohen punimet e Komisionit Kushtetues, i cili mbledhjen e radhës do ta mbajë në gusht, dhe rezultati që do të lindë aty të bëhet detyrueshëm për të gjithë”.

“Puna e Komisionit Kushtetues nuk duhet të vazhdojë me vite”, shtoi Kalın.

Ai theksoi se ky proces duhet të ketë një kalendar dhe një datë përfundimtare.

“Regjimi ka bërë çmos për të sabotuar punën e Komisionit Kushtetues deri më tani, sepse e di ose mendon se një tekst i detyrueshëm nga atje nuk do të jetë në favor të tij. Prandaj, puna e Komisionit Kushtetues po përparon shumë ngadalë, edhe pse është e nevojshme që këto punime të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të krijohet një themel kushtetues që do ta avancojë procesin politik në Siri, të ndalen përleshjet dhe refugjatët të kthehen në shtëpitë e tyre në mënyrë të sigurt dhe dinjitoze. Prandaj, të gjitha temat kryesore të çështjes siriane mbetën ashtu siç kanë qenë, domethënë, për 3-4 muaj, për shkak të epidemisë, vëmendja është drejtuar në vende të tjera, por për fat të keq, temat kryesore për çështjen siriane vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura”, u shpreh Kalın.

“Duhet të shfaqet qëndrim i qartë dhe i prerë kundër planit izraelit të aneksimit”

Në lidhje me planin e Izraelit për të aneksuar një pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, Kalın theksoi se plani i aneksimit është një pushtim dhe uzurpim i ri jolegjitim dhe në kundërshtim me ligjin.

Ai sqaroi se një gjë të tillë e kanë kundërshtuar rreptësisht dhe kanë ftuar gjithë bashkësinë ndërkombëtare ta kundërshtojnë këtë plan aneksimi.

“Ashtu siç bashkësia ndërkombëtare ka treguar unitet dhe solidaritet të madh në lidhje me Kudsin, i njëjti solidaritet tani duhet të tregohet edhe kundër këtij plani aneksimi. Organizata e Bashkëpunimit Islam, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kuarteti i Lindjes së Mesme dhe të gjitha institucionet e tjera të rëndësishme, veçanërisht vendet arabe dhe Liga Arabe, duhet të shfaqin një qëndrim shumë të qartë dhe të prerë në këtë drejtim”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

Ai theksoi se politikat e okupimit dhe aneksimit e kanë bërë çështjen palestineze edhe më të pazgjidhshme dhe se ky plan i aneksimit do të thellojë më tej këtë krizë, duke nënvizuar se ai ka zhdukur mundësitë e çdo lloj paqeje, zgjidhjeje dyshtetërore, stabiliteti politik dhe paqeje sociale.

“Netanyahu është një politikan që gjithmonë ka thënë se nuk beson në një zgjidhje dyshtetërore. Ai madje e ka bërë këtë si pikën kryesore që karakterizon partinë Likud në politikën izraelite”.

“Tani, kundër kësaj duhet të ngrenë edhe më tepër zërin së pari ato qarqe të ndryshme, kongresistë, bashkësi të ndryshme hebreje në Shtetet e Bashkuara, të cilët thonë se besojnë në një zgjidhje dyshtetërore. Vatikani duhet të shprehë kundërshtim. Këto troje gjithashtu kanë të bëjnë edhe me të krishterët që jetojnë atje, edhe me Vatikanin, drejtpërdrejt edhe me vendet arabe. Ata duhet të bëjnë më shumë zhurmë. Presidenti ynë për këtë çështje zhvilloi telefonata me shumë liderë arabë dhe perëndimorë kur për herë të parë u shpalos ky vendim. Presidenti ynë ua bëri të qartë zotit Trump, Putin, Mahmud Abbas dhe Mbretit të Jordanit, si dhe shumë liderëve me të cilët bisedoi, znj. Merkel dhe të tjerëve, se ne e kundërshtojmë qartë këtë. Qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i prerë. Kjo është një politikë, veprim dhe lojë e re e zhvatjes dhe e pushtimit; askush nuk duhet të bëhet pjesë e kësaj loje. Sigurisht, ajo që do ta ndalojë Izraelin është që bashkësia ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara, Kuarteti i Lindjes së Mesme dhe Bashkimi Evropian të shfaqin një qëndrim më efikas, më të mençur dhe më të fortë. Me fjalë të tjera, nëse e injorojmë këtë paligjshmëri, madje këtë plaçkitje, ne do të hapim derën për fatkeqësi të tjera në Lindjen e Mesme nesër”, vlerëson Kalın.

“Qëndrimi i botës arabe, i pamjaftueshëm”

Kalın tha se Izraeli ka pushtuar tokën palestineze “hap pas hapi, copë pase cope, centimetër pas centimetri, metër pas metri” që nga viti 1947.

“Siç e dini, presidenti ynë tregoi një hartë në OKB, se si u zhdukën trojet palestineze nga viti 1947, si u pushtuan nga Izraeli […]. Kjo hartë qëndron në vendin e saj. Fatkeqësisht, nëse zbatohet kjo politikë aneksimi, nëse zbatohet vendimi i aneksimit, pranë tyre do të vijë një hartë tjetër e pestë; ka 4 harta dhe harta e pestë pothuajse më do ta zhdukë Palestinën. Prandaj, ne nuk mund ta lejojmë këtë, për paqen dhe qetësinë e Lindjes së Mesme”, theksoi Kalın.

Duke potencuar se Izraeli po luan me zjarr dhe po ndjek një politikë provokuese, shkatërruese, ashtu sikurse në Kuds, Kalın i bëri thirrje Izraelit të heqë dorë menjëherë nga kjo politikë.

Kalın tha se të gjitha vendet që kanë ndikim dhe autoritet mbi Izraelin duhet të shfaqin një qëndrim të qartë për këtë çështje, veçanërisht SHBA-ja.

I pyetur nëse e sheh të mjaftueshëm qëndrimin e botës arabe, ai tha: “Nuk e shoh të mjaftueshëm. Veçanërisht e cilësoj si të pamjaftueshëm qëndrimin e Ligës Arabe. Ka vende në Organizatën e Bashkëpunimit Islam që shfaqin qëndrim shumë të prerë në këtë drejtim, por ne nuk mund të themi se qëndrimi i saj është i mjaftueshëm. Duhet të ngrihet më shumë zëri, në veçanti nga Liga Arabe, e cila, në vend se të nxjerrë shpesh vendime kundër Turqisë, duhet të fokusohet në këto çështje”.

Kalın tha se kushdo që ka ardhur në pushtet në mënyrë legjitime në Egjipt pas përmbysjes së Hosni Mubarakut dhe kushdo që ka ardhur në Tunizi në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve, Turqia ka bashkëpunuar me ta.

“Për të siguruar stabilitetin politik në Libi, Turqia bëri përpjekje për të punuar me të gjithë aktorët legjitimë pa dallim të llojit ‘Ky është i Vëllazërisë Muslimane, ky është pro-perëndimor, ky është nacionalist’. Ne mund të japim të njëjtin shembull për vendet e Gjirit, për Irakun dhe vendet e tjera. Kur shpërtheu lufta në Siri, Turqi, në thonjëza, a e mbështeti Vëllazërinë Muslimane? E mbështeti popullin sirian atje. Regjimi i Asadit sulmoi në mënyrë joselektive të gjithë atje, kushdo që i doli përpara: arabë, sunitë, kurdë e turkmenë, dhe Turqia ua hapi dyert të gjithëve që u persekutuan, nuk bëri asnjë diskriminim. Megjithatë, shprehjet si Islami, Islamizmi, Lëvizjet Islamiste, Partitë Islamiste dhe Vëllazëria Muslimane, po përdoren kudo si instrument i përshtatshëm, veçanërisht si kundërpërgjigje nga diskursi ndërkombëtar liberal. Për shembull, ne e pamë shembullin e fundit të kësaj në librin e John Bolton. Me fjalë të tjera, Bolton, i cili nuk i aktualizoi asnjëherë këto çështje në shumë takime që zhvilluam me të në Washington, New York ose në bisedat tona telefonike, kur e shkroi këtë libër, bëri një shpifje për presidentin tonë duke thënë se ‘Ai është një islamist radikal’. Pse e bën këtë, jo sepse është e vërtetë, por sepse është një instrument i përshtatshëm, sepse është një argument shumë i dobishëm, sepse veprohet me supozimin se “nuk keni pse të thoni diç tjetër kur e thoni këtë”.

“Nuk synojmë territorin e askujt”

Në pyetjet se “Pse po përdoret ky diskurs?” dhe “Çfarë dëshiron Turqia; cili është parashikimi juaj për të ardhmen; pse jeni kaq proaktivë në rajon?”, Kalın u përgjigj: “Turqia nuk ka problem me asnjë regjim që nuk persekuton njerëzit e vet, por nëse një regjim bombardon popullin e vet, nëse përdor armë kimike, çfarëdo qoftë identiteti i atij regjimi, etnik, sektar apo politik, Turqia qëndron kundër tij. Kjo është detyra jonë më themelore njerëzore, morale dhe politike”.

“Shikoni, më lejoni t’ju them kështu: Në fakt, bota islame nuk duhet të jetë botë e varfër. Një pjesë shumë e rëndësishme e pasurisë natyrore të botës gjendet pikërisht në Lindjen e Mesme”, shtoi ai.

“Por, meqë nuk ka një udhëheqje të fortë, vizion politik të mençur dhe të matur, unitet dhe solidaritet, botën islame e kanë përfshirë luftërat, konfliktet, krizat, shtetet e dobëta dhe qeveritë e këqija. Ashtu sikurse e gjithë bota islame ishte një vatër civilizimi kulturor që hodhi dritë në gjithë botën – e them duke i përmendur të gjitha vendet, nga Bagdadi në Basra, nga Samarkandi në Aleksandri, nga Kajro në Bosnjë – ne besojmë se këto cilësi janë të mundura ta karakterizojnë sërish botën islame edhe në shekullin XXI. Vendet islame mund të gjenden në një pozicion shumë më të mirë në shkencë, kulturë, art, arsim, teknologji, infrastrukturë, politikë të jashtme, siguri dhe të gjitha fushat e tjera. Paqja këtu kontribuon në paqen dhe qetësinë botërore, ata që përpiqen të avancojnë interesat e tyre kombëtare nëpërmjet konflikteve këtu, nuk janë të vetëdijshëm se përfundimisht i kanë vënë zjarrin gjithë botës. Pra, në një botë ku siguria është aq e ndërthurur, unë gjithmonë e them këtë: Askush nga ne nuk është i sigurt pa qenë të sigurt të gjithë. Nëse në mënyrë egoiste, unë mendoj vetëm për sigurinë time dhe rrezikoj sigurinë e të tjerëve, unë përfundimisht kam rrezikuar sigurinë time. Pra, nëse nuk ia duam tjetrit atë që duam për veten, atëherë nuk mund të ndiqni një politikë të jashtme të sinqertë, konsistente dhe të ndershme. Ashtu siç ne duam për Turqinë drejtësi, ndarje të drejtë të sigurisë, paqe, të njëjtën gjë e duam edhe për vendet fqinje dhe vendet e rajonit. Andaj, ne nuk synojmë territorin e dikujt tjetër, nuk kemi ndërmend të ndërhyjmë në punët e brendshme të dikujt tjetër”, u shpreh İbrahim Kalın.

Ai tha se pritja e tyre nga vendet e tjera është të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Turqisë dhe të mos ndërmarrin plane “fëmijërore” për të trazuar Turqinë.

“Disa propaganda njollosëse kundër Turqisë nga disa vende të Gjirit, besomëni, nuk kanë asnjë vlerë tek opinioni, përkundrazi, edhe ata duhet të shohin se kanë një qëndrim i cili largon edhe më shumë popullin e tyre nga vetë ata”, tha Kalın në intervistën ekskluzive për AA.

%d bloggers like this: