Edhe një herë për Faraonin e kuq

Mundohem t’i kuptoj ata njerëz që prindërit e tyre ose ata vetë para ardhjes së komunizmit jetonin në gjendje të mjeruar, dhe në atë regjim jeta e tyre ndryshoi në aspektin material për “më mirë”. Por kjo nuk është aspak arsye për të pranuar logjikën e ngushtë, që nuk shikon përtej disa të mirave materiale, që buronin nga një thelb kriminal dhe amoral, që mohonte Zotin, besimin dhe vetë dinjitetin njerëzor. Të mira këto, që ishin në funksion të pavërtetësisë së tij, të cilat një regjim tjetër do t’i kishte bërë shumë herë më mirë, siç ndodhi edhe me pjesën tjetër të botës.
Nëse nuk kuptohet se gjërat pikësëpari gjykohen nga qëllimi, apo ajo që ne e quajmë në fe si ‘nijeti’, është e kotë të zhytemi në detaje materiale, se çfarë kishte të mirë ky e ai regjim. Ajo që më bën habi më së shumti dhe më vjen mjaft keq, është moskuptimi që besimtarët kanë ndaj asaj periudhe, duke rënë në nivelin e gjykimit të një jobesimtari. Ndryshimi më i madh që pëson një njeri kur kalon nga mohimi, mosnjohja dhe indiferenca ndaj Zotit, pra bota e mosbesimit në atë të besimit, është ndryshimi rrënjësor ideor, shpirtëror dhe emocional. Një besimtar e sheh botën, jetën, njerëzit dhe gjithçka tjetër me një sy krejt të ndryshëm nga një jobesimtar, dhe ky këndvështrim e shoqëron atë gjatë gjithë jetës së tij, dhe përshkon gjithë qenien e tij. Nuk mundet që një besimtar ta gjykojë botën me sytë e një komunisti materialist, dhe as ‘edhe kështu edhe ashtu’. Feja dhe besimi kanë kriteret e veta me të cilat ato gjykojnë jo vetëm botën shpirtërore, por edhe atë materiale, sepse në thelb këto dy botë nuk jetojnë të ndara me thikë nga njëra-tjetra, por marrin e japin dhe funksionojnë së bashku. Nuk mund të jesh edhe besimtar edhe pak komunist, nuk mund të besosh në Zot dhe të mendosh si jobesimtar njëkohësisht! Edhe pse në realitetin jetësor gjëra të tilla ndodhin rëndom, për shkak sepse njeriu është enë që i bën bashkë të kundërtat, por në botën e ideve dhe koncepteve një gjendje e tillë është një oksimoron absurd, e cila reflektohet më pas edhe në jetën e dyzuar të një njeriu, i cili nuk gjen kurrë qetësi dhe paqe me vetveten.

Për të kuptuar më mirë hendekun e pakalueshëm mes botës së besimit dhe botës që ngriti ideologjia e Enver Hoxhës, duhet ta krahasojmë atë me Faraonin e Egjiptit dhe Profetin Musa. Dy njerëz dhe dy botë të ndryshme. Soji i faraonëve kishte ngritur një sistem që besonte se soji i tyre ishin bijtë e perëndive që krijuan botën dhe për këtë ata adhuroheshin si Zot. Ata kishin ndërtuar një qytetërim joshës në brigjet Nilit, me plantacione të stërmëdha drithi, me pallate madhështore, me piramida marramendëse, me ushtri të fuqishme, me pasuri përrallore, me një shkëlqim dhe mirëqenie që dëshmohet nga gjurmët e gjalla që janë edhe sot e kësaj dite në atë vend, si dhe nga historia pjesë të së cilës na i tregon edhe Zoti në Kuran, kur flet për këtë vend. Përball këtij Faraoni dhe sojit të tij qëndroi Musai, Profeti i Zotit, përfaqësuesi i një populli të shtypur dhe të skllavëruar nga faraonët, të cilët shkëlqimin e tyre ia dedikonin pikërisht skllavërisë, mes të tjerëve dhe skllavërisë së bijve të Israelit. Faraoni pretendonte se ja donte të mirën popullit të tij, se ai po i udhëzonte ata në udhën e drejtë e të duhur. Ai iu mburrë Musait, se zotëronte gjithë këto begati, se lumenjtë rridhnin nën këmbët e tij, madje se ai e kishte mbajtur me bukë Musain, se e kishte rritur dhe edukuar atë në pallat, se i gjithë ky shkëlqim material e tokësor qe produkt i rendit të tij.

Por të gjithë këto “të mira” që Faraoni krekosej, ngriheshin mbi përçmimin e sojit njerëzor, mbi skllavërinë, mbi idhujtarinë dhe mbi besimin absurd se Zoti jetonte si njeri mes njerëzve dhe duhej të adhurohej si qenie e qiellit. I gjithë shkëlqimi faraonik ngrihej mbi disa të pavërteta të mëdha. Piramidat që shumë njerëz sot i shohin si simbole të madhështisë njerëzore, në të vërtetë janë lapidarë të gjakosur, të përçmimit të dinjitetit njerëzor dhe jetës së mijëra skllevërve. Janë simbol i gjallë i idhujtarisë dhe çmendurisë njerëzore, jo për shkak të arkitekturës dhe lëndës që e përbën, por për shkak të arsyes pse u bënë dhe si u bënë. E njëjta gjë vlen edhe për veprat “madhështore” që bëri Partia e Punës së Shqipërisë në këtë cep të Evropës.
Musai (alejhi selam) sfidoi pikërisht të pavërtetat idhujtare të këtij rendi skllavërues të njeriut ndaj njeriut, të këtij rendi mohues ndaj Zotit dhe mosmirënjohës ndaj Tij. Ai ja mbylli gojën Faraonit pikërisht me fjalët “ti më përmend të mirën që më ke bërë mua, por ndërkohë ke skllavëruar bijtë e Israelit!”. Subhan Allah! Vetëm kjo fjali e detyroi Faraonin të ndryshonte kahun e bisedës dhe të futej në hullinë e bisedës që kërkonte Musai (alejhi selam). Kjo tregon se ai qe njeri që e kuptonte shumë mirë se rendi që ai dhe soji i tij kishin ngritur nuk ishte një rend që vlerësonte njeriun, një rend i së vërtetës dhe së drejtës, edhe pse ai i mbushte barkun me bukë atyre njerëzve, kishte arsim, shkencë dhe zhvillim edhe pse kishte ngritur ndërtesa magjepse dhe kishte ndërtuar një botë joshëse të mirëqenies, por që refuzonte të braktiste këtë skenë të madhe teatrale, ku ai ndihej si Zot dhe djalli e joshte t’i shkonte pas egos dhe epshit të tij.

Komunizmi është pikërisht ai rend faraonik që me të “mirat” e tij praktikisht kërkon t’i josh njerëzit tek të pavërteta e tij idhujtare, skllavëruese. Komunizmi është një rend utopik që kërkon të vendosë “parajsën” në këtë botë, parajsë kjo e cila nuk përmbush aspiratën individuale të çdo qenie njerëzore për të qenë i lumtur, por një aspiratë imagjinare të sojit njerëzor, për të cilën duhet të sakrifikojnë, qoftë edhe me skllavëri të gjithë individët! Në teorinë marksiste asnjë njeri nuk jeton për veten e tij, por për të mirën imagjinare të racës njerëzore, që nuk ndalet asnjëherë në evolucionin e saj. Si e tillë kjo ideologji është johumane, sepse është e gatshme të skllavërojë çdo individë të llojit njerëzor, edhe sikur t’i duhet pafundësia për të përmbushur lumturinë finale të llojit njeri, duke injoruar faktin se lloji është koncept abstrakt që përkthehet në lumturinë e individëve që e përbëjnë atë dhe jo në një projeksion imagjinar të së ardhmes ku asgjë konkrete nuk e lidh me individët, të cilët tashmë kanë vdekur dhe nuk përjetojnë asgjë nga kjo lumturi utopike. Përkundrazi besimi në Zot premton një parajsë reale, të prekshme për të gjithë individët, dhe të arritshme për ta, por jo në këtë botë. Ai kërkon nga njeriu që jetën e kësaj bote ta gëzoj me të gjitha të mirat e saj, por edhe të përballoj vështirësitë edhe sprovat e saj dhe të përmbahet nga e keqja, e dëmshmja, amoralja, epshi dhe egoizmi njerëzor, të cilat janë tokësore dhe të pashmangshme, dhe provim i domosdoshëm i kësaj jete. Parajsën mund ta sigurojë vetëm Ai që e krijoi atë dhe mbolli në shpirtrat tanë etjen dhe dashurinë për të.
Kështu pra kemi të bëjmë me një humnerë të pafundme ndarëse, mes së “mirës” që premton dhe ofron komunizmi dhe së mirës që ofron besimi dhe liria. Ndaj dhe nuk ka sesi të krahasohen të “mirat” që ofronte skllavëria e faraonit të kuq, me të mirat që ofron liria dhe besimi, i cili nuk premton një parajsë tokësore, por gjithsesi një botë më të mirë materialisht dhe më të drejtë, sesa ajo që ofroi rendi i kuq marksist.
Ashtu siç idhujtaria apo shirku i rendit faraonik shumëzoi çdo “të mirë” të tij me zero, ashtu edhe “të mirat” e faraonit komunist janë një hiç para ligësisë së tij, madje një karrem mashtrues i vetë djallit.

Musai, me ndihmën e Zotit, e udhëhoqi popullin e tij drejt lirisë e besimit dhe e largoi nga zgjedha e skllavërisë së Faraonit dhe idhujtaria e tij, mirëpo njerëzit e rritur dhe ushqyer si skllevër, nëse nuk çlirohen më parë nga vargonjtë e shpirtit, e kanë të vështirë të kuptojnë se mishi dhe mjalti që hahen në shkretëtirën e lirisë, janë më të shijshme dhe më të dobishme sesa qepët dhe hudhrat që hanin në kopshtet e skllavërisë; se të përballesh me sfidat e jetës duke qenë i lirë është më e këndshme dhe motivuese sesa të jetosh në rehatin e skllavit dhe rropatjen e tij monotone, se të adhurosh Zotin duke jetuar me sfidat e shumta të kësaj bote, është me krenare dhe kuptimplotë, sesa të pranosh sigurinë dhe qetësinë që ofronte diktatura e politeizmit.
Ata besimtarë që vazhdojnë të kenë nostalgji për skllavërinë dhe “të mirat” e Enver Hoxhës, janë si populli i Musait që nuk kanë kuptuar thelbin e besimit dhe nuk kanë shijuar akoma siç duhet ëmbëlsinë e tij dhe të lirisë, mirësi këto që nuk paguhen me asgjë në botë. Por, pavarësisht mbeturinave të nostalgjisë së kuptueshme ndaj regjimit të kaluar, këta njerëz dritëpakë dhe ky popull, që janë mishi dhe gjaku ynë, nuk duhen braktisur, ashtu siç Musai (alejhi selam) nuk e braktisi popullin e tij deri në vdekje.

Justinian Topulli

%d bloggers like this: