Besimi im – mburojë ndaj padrejtësive dhe kaosit

– A je i lumtur në besimin tënd?
Më shumë se i lumtur jam i qetë. I paqëtuar. Plus që unë këtë muhabetin e lumturisë s’para e kam kuptuar ndonjëherë mirë se çdo të thotë tamam. Mbase jam edhe i lumtur, kush e di.
– E ke gjetur kuptimin e jetës tënde? Si thua?

Cilët janë udhëheqësit e tu shpirtërorë?

Shtohen përditë. Një ditë u bë një plak nga Kavaja i cili kishte qortuar një shitëse që po vriste miza në banak. Gjynah i tha ky, gjynah. Po ta mbash pastër dyqanin, nuk do të jesh e detyruar të vrasësh kaq gjallesa.
– Si e përballon dhimbjen dhe vuajtjet me anë të filozofisë tënde?
Përmend Zotin. Kurani thotë “Vërtet përmendja e Allahut i qetëson zemrat.”. Funksionon. Kur themi përmend,kemi parasysh edhe mendtë, jo thjesht fjalën.

– Si ke mbërritur deri tek filozofia islame?

Duke u hedhur gur pas guri si ai kalamani i fshatit të thellë që kapton nëpër stinë përroin për të shkuar deri tek fshati me shkollë.

Më ka çuditur njëherë një vetëpërkufizim i Ernesto Sabatos së madh, i cili bashkë me një tjetër Ernesto nga Argjentina kanë qenë dy nga heronjtë e mij të shumtë. Ai thoshte se ishte një anarkist i krishterë.

Pa e ditur kaq shkurt përkufizimin, kam kaluar gjithë fillimin e viteve nëntëdhjetë nën këto dy

shenja të mëdha, deri sa i dhashë fund dyzimit.

Refuzimi im pseudoanarkist ndaj çdo renditjeje nën njerëz të tjerë, por edhe frika nga kaosi dhe neveria nga padrejtësia, më çoi në nevojën për diçka totalisht jonjerëzore për t’i dhuruar lirinë dhe veten time që nuk mund t’i meritonte ndonjë njeri, zeje apo ideologji. Duke qenë paraprakisht besimtar, e dija se ky duhet të ishte vetëm Zoti, i cili më zbulohej përmes Dhjatës së Re dhe të Vjetrës.

Në këtë mënyrë, përjetimet e gjithë kësaj, ndihmuar nga sa e sa ngjarje, më bënë të arrija tek monoteizmi puritan i Islamit.

– Cila është motoja e jetës tënde?

E ke edhe në Bibël. E ka thënë edhe Muhamedi a.s. Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënte.
– A mund të jetë një artist musliman?
Varet çfarë kupton me artist dhe varet çfarë kupton me musliman. Ka shumë lloje artistësh dhe shumë lloje muslimanësh.

Nëse gjerësisht do të thoshim se artisti është ai që duke iu referuar një tradite modelon gjësende apo qëndrime të pëlqyeshme për shpirtin, dhe me musliman një njeri që duke iu referuar një tradite, kënaqet duke besuar Zotin, Profetin dhe jetën tjetër, atëherë mund të themi se dy bashkësitë do puqen patjetër.

———————————————-

“Ata

Që na vënë revolucionin si alternativë

Për të na qeverisur me frikën nga ai

Ata që na trembin me anarkinë

Ata që deformojnë fenë dhe fjalinë

Për të mos prishur rehatinë

Për mos të të ngrohur

Mbrohen pas faktit se nuk të kanë njohur

Personalisht

Nise jetën mbrapsht ta trashëgosh

Më hipin nervat

Kam frikë

Mos bëhesh komunist; më keq

Frigohem mos harrosh

Të ftohtin

I cili është ata që të lanë

Të kesh ftohtë

Frigohem se mos mendosh

Se të ftohtin s’ta ka kush borxh

Se mos të duket vetja tepër

Se mos bëhesh i egër

Se mos bëhesh vrasës serial, ku i dihet

Dhe na fut në shënjestër

Si në një varr të përbashkët

Të gjithëve që djegin drutë e Zotit

Popullin Kain të të ngrohtit”.

-Ervin Hatibi
%d bloggers like this: