Bashkësia Islame pronare e nikoqire e “Lidhjes së Prizrenit”!

Dr. Orhan Bislimaj

Historianët e studiuesit kanë folur për Lidhjen e Prizrenit, por shumë rrallë apo fare hiq, nuk e kanë përmendur kontributin e Bashkësisë Islame, në këtë projekt të rëndësishëm kombëtar e atdhetar. Ndërsa, dihet se Bashkësia Islame me ylematë e saj, ka qenë ideatore, organizatore e nikoqire e Lidhjes së Prizrenit, sidomos në fazën themeltare të saj.

  1. Lidhja u mbajt në xhaminë e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklia)

Kompleksi aktual i Lidhjes së Prizrenit, që është ngjitur me xhaminë e Bajraklisë, deri vonë ka qenë pjesë e tërësisë së kompleksit “Gazi Mehmet Pasha” në Prizren, i cili përfshinte: Ders’hanën, që tash njihet si simbol i Lidhjes, Medresenë, Xhaminë, Mauzoleumin, selinë e Këshillit të BI-së, si dhe Hamamin, që gjindet pak më largë. Gazi Mehmet Pasha, në vitin 1573, këtë vatër të dijës e kulturës, e ndërtoi për “sevapë” të tij, e për hirë të Krijuesit, gjithnjë duke synuar shërbimin për popullin. Ai, personalisht, është kujdesur që edhe punët të kryhen me ndershmëri, ashtu siç e kërkon çdo vepër bëmirësie / hajrati. Punëtorët që kanë kryer punimet, duhej të ishin të pastër. Xhemati i Prizrenit, ruajnë një rrëfim interesant, në lidhje me pastërtinë. Transmetohet se, gjatë ndërtimit të xhamisë, e cila kishte filluar e para të ndërtohej, një punëtor, me gjasë mjeshtri kryesor, një ditë nuk doli në punë. Pas interesimit të Gazi Mehmet Pashës, punëtori tregoi se ishte i pa pastër (xhunub), e nuk ka dashur që të punojë me një gjendje të tillë, në një tempull të nisur për riza të Zotit. Ky moment, e inspiroi Gazi Mehmet Pashën, për të pezulluar punimet e xhamisë, ndërsa urdhëroi ndërtimin e hamamit, që gjindet disa dhjetëra metra larg xhamisë, në mënyrë që punëtorët të pastrohen, po edhe të shërbejë për të gjithë qytetarët. Dhe, kështu ndodhi. Në ndërkohë, pranë xhamisë, konsolidohet Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, i cili ka funksionuar edhe më herët, e që asokohe është njohur me emra të ndryshëm, si: “Myfti Daire” “Vakuf”, etj. Po ashtu, aty, ka funksionuar Medreseja e lartë, të cilën e pati mbyllur dhunshëm okupatori serb, më datë 17 mars të vitit 1947, në ora 12 të ditës.

Në këtë rast, kompleksi i Gazi Mehmet Pashës, në tërësinë e tij, ka shërbyer për nevojat e Lidhjes dhe seli e Lidhjes. E që do të thotë se nikoqir i Lidhjes së Prizrenit ka qenë Bashkësia Islame, e cila është kujdesur, për banim, ushqim, organizim e aspekte të tjera logjistike. Ndërsa, në xhami, që sot njihet si xhamia e Gazi Mehmet Pashës apo xhamia e “Bajraklisë”, Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, i ka zhvilluar punimet, prej datës 10 qershor deri më datë 18 qershor, 1878.

Fatkeqësisht, shumë pak historianë, e citojnë faktin se në xhami është mbajtur Lidhja e Prizrenit, apo se Bashkësia Islame ka qenë nikoqire dhe organizatore. Për më keq, librat shkollor, e devijojnë historinë, duke e paraqitur shtëpizën (Ders’hanen) si vend i mbajtjes së Lidhjes!? E, disa të tjerë, janë munduar ta kamuflojnë të vërtetën, duke përmendur sallën e Medresesë së Gazi Mehmet Pashës, si vend i Lidhjes. Po, është e vërtetë, salla dhe klasat e Medresesë kanë shërbyer për aspekte ndihmëse e administrative, por, kuvendi historik i Lidhjes është mbajtur në xhami, sepse, bëhet fjalë për një kuvend, që në disa raste ka numëruar deri në 300 delegatë, e përveç xhamisë, nuk ka ndonjë hapësirë tjetër të përshtatshme për mbledhje të këtilla.

1.1. Fatkeqësisht, xhamia e Bajraklisë, nuk gëzon asnjë status të veçantë

Edhe pse, xhamia e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklia), përmban historinë e lavdishme të kombit, megjithatë, institucionet tona, asnjëherë nuk e kanë vlerësuar në mënyrë meritore. Ajo, fare nuk është në agjendë të vizitave, me rastin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes. Pastaj, ajo nuk gëzon asnjë privilegj apo status të veçantë. Vërtet, kjo është hipokrizi e marrëzi politike. Në anën tjetër, të gjithë I gëzohemi faktit, kur institucionet e Kosovës, i garantojnë privilegje apo status të veçantë, disa vendeve apo objekteve, që përmbajnë historinë e re të Kosovës, siç po ndodhë me ato të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për hirë të së vërtetës, tek në vitin 2013, edhe pse me shumë vonesë, Kuvendi Komunal i Prizrenit, ka bërë një hap drejt vlerësimit të xhamisë, së paku me një veprim krejt simbolik. Për herë të parë në histori, me rastin e shënimit të 135 vjetorit të Lidhjes, me vendim unanim të Asamblesë, Komuna e Prizrenit, më datë 10 Qershror 2013, ka vendosur pllakën në hyrje të xhamisë së Gazi Mehmet Pashës. Në këtë pllakë shkruan: “Këtu, në xhaminë e Bajrakut, me 10 Qershor 1878, u mbajt Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Kjo nuk është asgjë, por megjithatë, është një përpjekje.

Konsiderojmë se Qeveria e Kosovës, Ministria e Kulturës, duhet të ndërmarrin iniciativën për t’i dhënë status të veçantë xhamisë së Gazi Mehmet Pashës. Sepse, edhe vetë Pavarësia e Shqipërisë, në vitin 1912, i ka rrënjët në këtë vend, përkatësisht në kryengritjen e Lidhjes, e cila shënon kthesën e madhe për të ardhmen e shqiptarëve si komb. Prandaj, si e tillë, pa dyshim konsiderohet ndër vendet më emblematike në nivel të trojeve shqiptare.

1.2. Kompleksi aktual i Lidhjes, pronë e Bashkësisë Islame deri në vitin 1981

Por, ç’e do që, Komuna e Prizrenit, asokohe “Skupština Opštine Prizren”, në vend të vlerësimit të xhamisë së Gazi Mehmet Pashës, ndërmerr veprimet arbitrare për eksproprijimin e kompleksit të Gazi Mehmet Pashës. Me vendimin shpronësues, nr. 03/3-463-30, datë 23.VII.1981, i nënshkruar nga drejtori Feta Vorfaj, Komuna e Prizrenit (SR SRBIJA – SAP KOSOVO, SKUPŠTINA OPŠTINE PRIZREN – Uprava za imovinsko – pravne poslove), ia merr Bashkësisë Islame, pronën ku aktualisht gjindet Kompleksi i Lidhjes, duke e ndarë nga xhamia e Gazi Mehmet Pashës. Në këtë vendim (Rešenje), e që është në gjuhën serbokroate, thuhet: “Bashkësisë Fetare Islame, i eksproprijohen ndërtesat, të cilat gjinden në rrugën IV, Kos.Udarna Brigada, nr. 25, parcella numër 1913, në sipërfaqe prej 1762 m2 dhe parcella nr.1912 në sipërfaqe prej 202 m2, gjithësej në sipërfaqe prej 1964 m2.”[1]

Ky vendim, që ka ndodhur në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka qenë vendim arbitrar dhe përbën një bashkëdyzim të ideve të okupatorit serb dhe disa shqiptarëve lojalë të pushtetit, për abstrahimin e rolit të xhamisë dhe Bashkësisë Islame. Ndryshe, kjo nuk mund të shpjegohet. Në këtë frymë antiislame, historianët e oborrit të pushtetit, e kanë shkruar historinë e Lidhjes në librat shkollor, duke ofruar një variant të pavërtetë apo të mangët rreth saj. Sot, Kompleksin e Lidhjes, në Prizren, e vizitojnë me qindra e mijëra nxënës, nga të gjitha anët e trojeve tona etnike, por asnjëri prej këtyre fëmijëve, nuk e viziton vendin e vërtetë ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, pra nuk e vizitojnë xhaminë e Bajraklisë!?[2] Prandaj, kush nuk e ka ditur deri sot, le ta dijë, se Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, ka qenë pronë e Bashkësisë Islame deri më datë 23.07.1981.

  1. Raporti i oficerit britanik, viti 1878, për rolin e ylemasë dhe karakterin e Lidhjes

Gjithmonë do të themi, se Lidhja e Prizrenit ka qenë një project kombëtar, për unifikimin e katër vilajeteve shqiptare, në një shtet të vetëm, në një Shqipëri, si një garanci për ruajtjen e tokave shqiptare nga copëtimet dhe apetitet gllabëruese të fqinjëve sllavë. Kjo, fare nuk diskutohet! Por, krahas kësaj, gjithmonë do të themi se, në këtë project kombëtar, politic e ushtarak, pra në organizimin dhe realizmin e Lidhjes së Prizrenit, rol mjaft madhor ka pasur Bashkësia Islame. Studiuesit e historianët, e kanë për obligim që ta rikonfirmojnë kontributin e madh, ideor, cilësor e sasior të Bashkësisë Islame, ndërkohë që kurrë nuk e kanë thënë një gjë të tillë. Asnjëherë nuk është thënë se, Lidhjes, që ne e kujtojmë, i ka paraprirë, iniciativa e ylemave të kohës. Por, fatmirësisht këtë e kanë thënë të huajtë. Christine Von Kohli, thotë se shqiptarët e zhgënjyer e të zemëruar krijuan “Komitetin e Muslimanëve të Mirëfilltë”, i cili disa vite më vonë u riemërua me ‘Lidhja e Prizrenit’. Po kjo autore mendon se në librat shkollorë shqiptarë është falsifikuar në frymë nacionaliste karakteri i kësaj Lidhjeje, duke e kaluar në heshtje orinetimin e saj islamik e duke i përqendruar synimet e saj vetëm te kërkesa për një Shqipëri të pavarur.[3] Të njëjtën gjë e pohon edhe Muhamed Pirraku. Sipas tij, Lidhja Shqiptare, e cila nga drejtuesit e saj, quhej ittifak (Lidhja) vepronte në Vilajetin e Kosovës nga fundi i vitit 1877 dhe drejtohej nga haxhi Ymer Efendi Prizreni, i cili edhe e pati hartuar Momerandumin e banorëve të Prizrenit, të 12 majit 1878, drejtuar përfaqësuesve diplomatikë të Fuqive të Mëdha, në Stamboll, ku shprehte hidhërimin se disa pjesë shqiptare, do t’i bashkohen Serbisë, Malit të Zi apo Bullgarisë së re.[4]

Por, akoma më shumë, diplomati e oficeri britanik, i cili, udhëtoi nëpër Kosovë në fund të vitit 1878, në raportin e tij, e sqaron më së miri atë që duam ta themi. Ai thotë: “Kjo lëvizje është më shumë fetare se sa shekullare, asaj i prijnë myftinjtë, ulematë, kadinjtë: unë mendoj se është më se e qartë se Porta dhe Lidhja… tashti janë në marrëdhënie të mira dhe janë duke punuar për arritjen e qëllimit të përbashkët mbrojtjen e provincës.”[5]

Fusnotat:

[1] Dokumenti, nr. 03/3-463-30, datë 23.VII.1981, që gjindet në arkivin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

[2] Shih: Ramiz Abdyli & Emine Bakalli, Historia 11 (Gjimnazi i shkencave natyrore), Libri Shkollor, Prishtinë, fq.139.

[3] Christine Von Kohl, Shqipëria, Prishtinë, 2006, sipas: Nexhat Ibrahimi, Vepra – 10, Logos-A, Prishtinë, 2009, fq.723.

[4] Shih: Dr. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni – ora, zemra dhe shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Sharr, 2003, fq.55.

[5] Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq.230. Më 1879, konsulli britanik në Shkodër, i përshkroi anëtarët e Lidhjes në Kosovë si ‘myslimanë fanatikë’. Shih, po aty, fq. 422.

%d bloggers like this: